Google+

TË FUNDIT

Rruga e jetës është DREJTËSIA, mos u ndaj nga rruga për të hyrë në rrugica.

Shpallen “Personazhet e 2012-ës”, që nga politika, arti, biznesi… (FOTO)



Shpallen "Personazhet e 2012-ës", që nga politika, arti, biznesi… (FOTO)
Jan 15th 2013, 23:55

Dikush ka këmbëngulur. Një tjetër ka bërë diferencën me kolegët, ka spikatur mes të ngjashmëve, është shpallur kampion apo ka sjellë një punë interesante
Cilët janë njerëzit e vitit sipas revistës Klan.
Edhe për individët më objektivë dhe më pak bestytë, 2012-ta nisi me një drojë mbase të strukur në thellësi të trurit, se mos largqoftë profecia e kalendarit Maja bënte vaki e realizohej në fund të vitit. Sepse në raste të tilla, shkenca provon se psikologjia e turmës dhe paniku, ndodh që mbizotëron ndaj racionalitetit individual. Por asgjë nuk ndodhi, dhe për fat të mirë shumica dërrmuese e njerëzve vazhduan normalisht (ose anormalisht) jetën e tyre.
Dhe e vërtetuan këtë katërcipërisht shqiptarët, tek të cilët psikologjia e turmës kësaj here veproi për mirë, me tubimet dhe festimet masive për 100 vjetorin e Pavarësisë, pavarësisht ndonjë teprimi. E në këtë vit kaq aktiv, nuk munguan njerëzit që spikatën, qoftë nën reflektorët e publicitetit dhe mediave, qoftë jashtë tyre. Përzgjedhja e revistës për 10 personazhet e vitit që kaloi, nuk kishte parasysh vetëm kriterin disi naiv të "më të mirëve", dhe kjo jo sepse e mira s'ka fund. Padyshim ata kanë qenë aktivë edhe në vitet e mëparshme, do të jenë edhe më pas. Por për 2012-ën, në gjykimin tonë ata kanë patur një lloj kulmimi të veprimtarisë, njëfarë mbizotërimi të tillë ndaj të ngjashmëve, nga nevoja apo dëshira, saqë kanë rënë dukshëm në sy. Shpresojmë që lexuesit të bien dakord me klasifikimet tona për njerëzit e spikatur të politikës, shoqërisë civile, muzikës, biznesit, kulturës, gazetarisë, pushtetit lokal, hapësirës ndërshqiptare, sportit, medias elektronike.
Politikë 
Kreshnik Spahiu
Ky që lamë pas, ishte një vit që politikisht mban vulën e Kreshnik Spahiut. Ish drejtuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, i cili në pranverën e 2005-ës rrëzonte me çekan një mur simbolik korrupsioni në një protestë kundër qeverisë Nano, do të bëhej më pas nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e akoma më pas, do të akuzohej nga po ajo maxhorancë që e mbështeti për këtë post, për korrupsion me emërimet në drejtësi. Por ndërsa akuzat venë e vijnë, Spahiu e kishte shtruar terrenin për lëvizjen Aleanca Kuqezi, tashmë një formacion politik që po spikat në terrenin shqiptar, me retorikën patriotiko-nacionaliste të gërshetuar me frymën antikorrupsion. Gjithsesi, deri më tani kryetemat e AK-së janë flamuri, bashkimi kombëtar, grekët dhe serbët, ndërsa disa sondazhe apo anketime gjithsesi të paverifikueshme, e nxjerrin Aleancën si forcë e tretë politike. Në dilemën dhe habinë për ngritjen kaq të shpejtë të kësaj force, në skepticizmin nëse mbështetja për kuqezinjtë është virtuale apo realisht kjo lëvizje do të shndërrohet në vota konkrete dhe vende në parlament, të gjithë presin – edhe mediat sigurisht- testin e vërtetë politik të këtij viti, zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013.
Muzikë 
Elvana Gjata 
Është një lëmë i gjerë dhe brenda tij gjallojnë disa kategori. Por nëse në sferën e muzikës klasike, suksesi ndërkombëtar i personaliteteve si Ermonela Jaho, Inva Mula, Saimir Pirgu etj, është konfirmuar tashmë, menduam të përqëndrohemi tek muzika e lehtë shqiptare. Emrat nuk mungojnë; fjala vjen, Argjentina Ramosaj ka shkëlqyer këtë vit, duke hyrë bindshëm në tregun muzikor. Edhe disa prurje të tjera kanë lënë padyshim gjurmë. Por përfundimisht vogëlushja e dikurshme e talentuar e muzikës së lehtë, Elvana Gjata, është shndërruar në një divë të pakundërshtueshme. Karriera e Elvanës ka pasur këto vite një kurbë të pandërprerë ngritjeje, për të kulmuar në një 2012 vërtet bombastik për të. Ndërsa këngëtarja njofton për një album tjetër me këngë të reja që është duke u punuar, ajo nuk ka rreshtur së shituri, e së dhëni koncerte të suksesshme jo vetëm në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por edhe në Gjermani, Zvicër, Itali apo Shtetet e Bashkuara. Dhe për të vërtetuar se fama dhe talenti i saj nuk janë një produkt fantazmë, siç bën vaki me shumë kolegë të saj, vijnë çmimet e rrëmbyera shtatorin e kaluar, në Balkanika Music Aëards, ku kënga "Afër dhe larg" u vlerësua si kënga më e mirë shqiptare, ndërsa videoklipi i të njëjtën këngë u shpall më i miri i Ballkanit. Si qershia mbi tortë, erdhi këtë vit edhe çmimi i parë për Elvanën në "Dancing ëith the stars", ndërkohë që 2013-ta paralajmërohet akoma më e fuqishme.
Shoqëria civile 
Zamira Durda
Rasti i kësaj gruaje nuk është biografia e zakonshme e një aktivisti të shoqërisë civile, që drejton apo merr pjesë në një shoqatë dhe aktivizohet për të drejtat e atyre që nuk kanë zë. Sepse tragjedia personale e shndërroi atë në një kryeaktiviste. Humbi vogëlushin e saj në shpërthimin e Gërdecit, dhe që nga ajo ditët e zezë këtu e gati pesë vjet më parë, nga grua u shndërrua në burrneshë. Sa për vitin që lamë pas, ka qenë një vit i errët në aspektin e protestës civile. Ish i përndjekuri politik Lirak Bejko i vuri flakën vetes në grevën e urisë; e ndjera Tushe Osmani po ashtu u vetëvra pasi nga Gërdeci e këtej, tragjedia nuk iu nda familjes së saj.
Por ja që Zamira Durda ka zgjedhur jetën, dhe luftën. E pranishme dhe e zëshme në çdo seancë gjyqësore, në çdo protestë, në prononcime mediatike, madje edhe për logo të njohura ndërkombëtare si Asoshiejtid Pres, ajo vazhdon të ngrejë zërin edhe pse para syve të saj, seancat e gjyqit të Gërdecit dhe amnistitë qeveritare ua kanë bjerrur shpresat familjarëve të viktimave, për një gjykim të drejtë dhe vënie të drejtësisë në vend.
Pushteti lokal 
Shpëtim Gjika 
2012-ta ishte viti i Vlorës. Por edhe i debateve mbi dhe për Vlorën. Një vit më herët, Gjika rifitoi mandatin e kryetarit të bashkisë në zgjedhjet lokale 2011, dhe përpara e priste një jubile nga ata që vijnë një herë në 100 vjet. Siç e dimë, pika e rëndesës së festimeve të pavarësisë ishte moment debati në distancë mes kryeministrit të djathtë dhe kryebashkiakut të majtë e opozitës në tërësi. Por pesha e rëndë e Vlorës nuk mund të bartej gjetiu, qoftë dhe me urdhra qeverie. Dhe në 100 vjetorin e 28 nëntorit 1912, qyteti e mbajti bindshëm dhe dinjitet këtë peshë. E mbajti në organizim, në mikpritje, në festime dhe në përcjelljen e mesazhit të bashkimit, qoftë dhe pak orë apo ditë. Simbolika e Vlorës pati aq gravitet të fortë ato ditë, sa edhe kryeministri u josh ta mbante mbledhjen e radhës së qeverisë në këtë qytet, pasi nuk i rezistoi tundimit për të dalë në ballkonin e Ismail Qemal Vlorës. Por me apo pa ballkon, Shpëtim Gjika ka ankesa të forta për qeverinë dhe ndihmën e fondet e munguara për qytetin jo vetëm të pavarësisë, por edhe të turizmit bregdetar. Ndërsa debatet dhe akuzat reciproke padyshim do të vazhdojnë lidhur me ndërtimet në qytet, kanalizimet, gjelbërimin etj, ajo që është e sigurtë, mbetet fakti që në lëmin e kryebashkiakëve të këtij vendi, Gjika spikati për vitin që sapo kaloi.
Hapësira shqiptare 
Ramush Haradinaj 
Prokuroria e Karla del Pontes në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë, u shenjua nga një parim i çuditshëm, sipas të cilit edhe vrasësit, edhe ata që mbrohen për të mos u vrarë, janë njësoj të fajshëm; si ata që marrin armët në duar pasi u masakrohet një popull i tërë, edhe ata që kanë vënë në lëvizje një makineri të përbindshme ushtarake për të shfarosur një komb, duhet të dalin para drejtësisë. Por ky vit pa të shkërmoqej ky farë parimi. Lirimi i dy gjeneralëve kroatë nga Gjykata e Hagës dhe më pas, shpallja i pafajshëm e ish kryeministrit dhe komandantit të zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i dha më në fund udhë një ngërçi të pakuptimtë të disa aktorëve ndërkombëtarë, që donin si e si ta nxirrnin edhe Serbinë pak viktimë të kasaphanës që ndodhi në ish Jugosllavi. Rikthimi i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u prit me entuziazëm e festime në hapësirën shqiptare, dhe tani Haradinaj po përgatitet për t'u bërë sërish faktor aktiv në politikën e Prishtinës.
Gazetari 
Marin Mema 
Nuk është e thënë të jesh gazetar "i ndaluar", apo "provokator", për të bërë emër në profesion. Dhe në fakt, nuk është ky rasti me gazetarin e Top Channel-it, i cili prej kohësh me raportimet e tij në rubrikën "Shqipëria tjetër" ka sjellë me pamje dhe fjalë në vëmendje të publikut, pikërisht atë Shqipëri tjetër që tek e fundit, është Shqipëria e shumicës: E vuajtur, e margjinalizuar, e varfër, e harruar, e grabitur, e trafikuar. Gazetaria shqiptare ka dëshpërimisht nevojë jo thjesht për raportimin e terrenit, por edhe për zbërthimin e problematikës që ke prekur e ke parë vetë, për publikun e gjerë. Pa ngurruar të denoncosh fakte, emra, ngjarje. Një vlerësim sado modest, i këtyre profesionistëve, ka qenë në fokusin e revistës edhe në përzgjedhjet e kaluara të Fatos Baxhakut, Endri Xhafos etj, dhe në rastin e Marin Memës është pikërisht kështu. Le të shtojmë se ky vit, nga ana tjetër, shënoi një tjetër "incident" për Memën, pasi u shpall person i padëshiruar nga shteti grek që nuk e lejoi të kalojë kufirin për pushimet e verës, si individ i rrezikshëm. Arsyeja tashmë dihet: Reportazhet e gazetarit për Çamërinë dhe për fshatin e lindjes së Papa Kristo Negovanit.
Një ngjarje kjo që realisht, dëmin e vërtetë ja bën shtetit grek dhe jo Marin Memës.
Televizion 
Albanian Screen 
Nëse mund të flitet për një ekran televiziv që vitin e kaluar ka bërë një hop të dukshëm cilësor dhe ka shtuar ndjeshëm shikueshmërinë, shumë teleshikues do të binin dakord se ai është Albanian Screen, ish Alsat. E thënë me një frazë, me kalimin e pronësisë tek "Taçi group", televizioni kaloi nga struktura e mëparshme thellësisht informative, në formatin e një ekrani gjeneralist me programacion të larmishëm. Por kjo frazë "fsheh" investime të rëndësishme në logjistikë, staf dhe programe, si dhe ndryshime cilësisht të qëlluara nën menaxhimin e Anika Taçit. Sot, publiku shqiptar ka pikë referimi telenovelat dhe serialet si "Sulejmani i madhërishëm" apo "1001 netët", emisione si ai i Janusz Bugajskit, Aleksandër Furxhit, Endri Xhafos, Gerti Çarçanit etj, pa harruar pjesën tjetër të programacionit dhe edicionet e balancuara të lajmeve. Afërmendsh që për gazetarët, njerëzit e medias dhe të ekranit, një televizion i suksesshëm më shumë është padyshim lajm i mirë, ashtu si e kundërta do të ishte lajm i keq. Por përtej një grupi profesionistësh, akoma më i mirë është ky lajm për publikun dhe shikuesit.
Sport 
Ismail Keta 
Lindur në fshatin Koçaj të Bulqizës. Viti 1997 e gjen në Gjermani, kur fiziku dhe aftësitë bien në sy të njerëzve të duhur, dhe ai nis një stërvitje strikte në thai e kick boxing, duke vazhduar atë përgatitje fizike që në fshatin e lindjes, e kishte filluar me thaës rëre dhe shtanga hekuri të improvizuara. Kjo mini-biografi nuk përfshin titujt e shumtë brenda e jashtë Gjermanisë, por për Ismail Ketën le të përmendim faktin që sot është kampion bote në disiplinat marciale të përmendura më sipër, pas fitores ndaj hungarezit Jozef Diklaund. Me këtë rast, të sqarojmë edhe diçka: Garon për Gjermaninë, por nuk e ndan nga ringu flamurin shqiptar. Pas fitores së titullit pak javë më parë, ja një deklaratë kuptimplote e Ismail Ketës: Ja di për nder Gjermanisë që më bëri sportist, por ja di për nder Shqipërisë që më bëri njeri. Ai dhe vëllai Gjetan, boksier i njohur, kanë kryefjalë shqiptarinë. Së fundi, akademia e hapur në Tiranë prej tyre për thai dhe kick-boxing, premton të kultivojë talentet e shumtë shqiptarë në artet marciale.
Kulturë 
Roland Sejko 
Për gazetarinë dhe kulturën shqiptare në gadishullin e Apenineve, Roland Sejko është prej vitesh një pikë referimi. I vendosur në Itali që prej 1991-it, Sejko ka punuar për Institutin Luce, ka themeluar revistën dygjuhëshe "Bota Shqiptare" dhe ndër të tjera, ka kontribuar në zhanrin e dokumentarit. Pas filmit "Shqipëria, vendi përballë" të vitit 2008, këtë vit Sejko erdhi me dokumentarin "Anija" (La nave) me temë eksodin shqiptar të vitit 1991. Se çfarë suksesi pati ky dokumentar, i shfaqur edhe në edicionin e 13-të të Filmit Shqiptar, mjafton të përmendim se gazeta "Corriere della sera" i kushtoi një faqe të plotë, ndërsa filmi është konkurrent në festivalin prestigjioz të Torinos. Ndërkaq, shfaqja zyrtare e dokumentarit në Itali, është pritur jashtëzakonisht mirë nga kritika. Nga ana tjetër, duhet thënë se në fushën e kulturës, letërsisë, artit, vlejnë të përmenden pjesëmarrja dinjitoze e autorit Preç Zogaj në konkursin ballkanik të letërsisë, apo rikthimi poetik i Rudian Zekthit etj.
Biznes/ Telekomunikacion 
Genti Daci 
Rëndom, kur përmendet ky sektor, mendja të shkon tek gjigandët korporativë. Kështu, vitin që kaloi Vodafone Albania shënoi rritjen e numrit të pajtimtarëve në Vodafone Club, që u shndërrua në komunitetin celular numër një në vend. Operatori AMC ofroi shërbimin e ri të telefonisë fikse, ndërsa Eagle Mobile mori liçensën për ofrimin e shërbimeve 3G. Por ne kemi një personazh tjetër. Ata njerëz të fushës që e njohin, për ta thënë popullorçe, i heqin kapelen. Sepse pakkujt i shkonte dikur në mendje se një djalë i ri, inxhinier informatike, do të mbërrinte deri tek një produkt që sot e ka emrin Abcom. Kjo prurje krejt shqiptare me të cilën duhet të krenohemi, e nisi në vitet 90-të duke themeluar kompaninë internet provider me të njëjtin emër, që u bë lidere e fushës. Dora-dorës, nga liçensa rajonale Abcom mori atë të ISP-së kombëtare, dhe në çdo hap ka qenë aplikuese pionere e teknologjive të reja. E tillë ishte fibra optike në vitin 2005 dhe ofrimi i produkteve të fjalës së fundit, deri tek shtrirja me rrjetin e saj të pavarur të internetit, në mbi 70 përqind të territorit të vendit. Shumë detaje të këtij aktiviteti, do të ishin tejet teknike për lexuesin, por le të themi se pas një suksesi mbresëlënës, Abcom ndërroi pronësinë në vitin 2008, ndërsa Gent Daci mbetet drejtori i përgjithshëm. Aktualisht, nëse keni dëgjuar për ofertën 3 në 1, nuk është fjala për shampo, por për portofolin "televizion kabllor+ Internet+telefon" në një linjë të vetme.